BESOJMË SE KENI LEXUAR DHE DËGJUAR SHPESH NË LIDHJE ME NDIKIMIN E PIRJES SË VERËS TE SHËNDETI. POR SHPESHHERË JENI GJENDUR PËRBALLË INFORMACIONEVE TË KUNDËRTA ME NJËRA-TJETRËN! JA ATËHERË SE ÇFARË DUHET TË DINI ME SIGURI PËR KONSUMIMIN E KËSAJ PIJEJE…
Të dashuruarit pas kësaj pijeje nuk do të mund të hiqnin kurrë dorë nga një gotë në ditë, ndërsa shumë nga ata janë atletë dhe në formë shumë të mirë fizike. Megjithatë e dimë se alkooli mund të shkaktojë shumë probleme të rënda shëndetësore. Por si mund të “pajtohemi” njëkohësisht me këto dy aspekte të verës? Para së gjithash duhet thënë se, si për çdo gjë, edhe vera ka pro-të dhe të kundërtat e saj. Sekreti qëndron në shijimin pa e ekzagjeruar. Më poshtë do të gjeni një listë me “gabime” për t’i shmangur në rast se edhe ju jeni të “fiksuar” pas kësaj pijeje të shijshme.
Nëse pini dhe nuk bëni sport
Sipas disa studimeve, vera përmban substanca të cilat janë në gjendje që të mbrojnë muskujt dhe kockat, pak a shumë siç mbrohen edhe në rastin e bërjes së aktiviteteve fizike. Megjithatë nuk është e njëjta gjë dhe ju nuk duhet të zgjidhni patjetër njërën prej tyre për të qenë në rregull! Pirja e vazhdueshme e verës mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme për mëlçinë, ndërsa ky veprim mund të ketë një ndikim shumë negativ në shëndetin tonë të përgjithshëm. Këshilla në këtë rast është që, ushtrimet fizike të përditshme duhet t’i ktheni në një zakon, ndërsa një gotë verë duhet ta pini për raste të veçanta dhe jo në çdo vakt të ditës.
Nëse pini përpara se të shkoni në shtrat
Ju duket sikur ju zë gjumi më lehtë nëse pini pak verë: alkooli në fakt, ul temperaturën e trupit dhe stimulon prodhimin e disa hormoneve që për llogari të tyre stimulojnë gjumin, por kjo ndjesi është e destinuar që të mos zgjasë shumë. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Amerikan, pjesa më e madhe e personave që konsumojnë alkool, përpara se të shkojnë në shtrat, i zë gjumi vërtet më shpejtë, por zgjohen papritmas disa orë më vonë, pa qenë në gjendje për të fjetur sërish. Ndaj gjeni mënyrën që gotën e verës ta pini disa orë përpara se të shuani dritën për të fjetur.
Nëse pini për çështje bukurie
Disa kërkime të kaluara kanë demonstruar një lidhje të veçantë mes verës dhe regjimit të bukurisë. Në veçanti, alkooli i gjendur në këtë pije është në gjendje që të mbrojë lëkurën tonë nga rrezet e dëmshme ultraviolet dhe në të njëjtën kohë e bënë atë më të tonifikuar dhe më elastike. Ky është një lajm i mirë për ata që verën kanë vendosur që ta hedhin në vaskë ose ta shtojnë në një locion për trupin (si përbërës), por jo për ata që nuk mjaftohen për ta pirë! Vera e mirë në fakt ka një efekt tjetër, shumë pozitiv në lëkurë; si gjithë pijet e tjera alkoolike, ajo mund të shërbejë për dehidratim dhe mund të ngadalësojë procesin e plakjes.
Nëse pini shumë
Ashtu siç e dimë, ekzagjerimet kanë gjithmonë pasoja negative në mirëqenien tonë. Përveçse shkaktojnë varësi dhe probleme shumë të mëdha në mëlçi, zakoni i pirjes mund të shkatërrojë dhëmbët dhe të provokojë sëmundje kardiovaskulare, përveçse ka një impakt të keq në formën tonë fizike dhe stilin e jetës. Kufizojeni veten që të konsumoni sasinë e rekomanduar, pra jo më shumë se dy gota verë në ditë./GazetaShqip//
Comments