A mos vallë e kemi pirë gabim verën e kuqe gjatë të gjithë kohës?
“82% e njerëzve e konsumojnë verën në temperaturën e dhomës, – tregojnë studimet e fundit, – por për ta shijuar atë maksimalisht duhet të përpiqemi ta shërbejmë nga 12 deri në 18 gradë Celsius, në varësi të llojit”.
Duke e përshkruar si mit, idenë që vera duhet të jetë në temperaturën e ambientit, “Taylors Wines”, kantina e famshme familjare australiane shkruan në raport se, “Au Chambre” – siç njihet ndryshe, – është një trashëgimi e hershme që lidhet me dhomat e ftohta të kështjellave mesjetare franceze.
Klima australiane, nga ana tjetër, fantastike për prodhimin e verës, nuk është edhe aq ideale për pirjen e saj, sepse temperatura e dhomës në këtë vend mbërrin te 23 gradë Celsius.
Por si duhet vepruar atëherë? “Taylors Wines” këshillon që shishja e verës të lihet 30 minuta në frigorifer, përpara se të konsumohet.
“Nëse do ta provoni shijen e verës para dhe pas ftohjes, do ta dalloni menjëherë diferencën”, këmbëngul ajo.
Këtë vit, çmimi i verës mund të pësojë rritje për shkak se kushtet ekstreme të motit kanë dëmtuar vreshtat anembanë globit.
Organizata ndërkombëtare e Verës njoftoi se, në vitin 2017, prodhimi i saj ka rënë me 8.2%, me problemet e mëdha të vjeljes që u regjistruan në Francë, Itali e Spanjë. Këto 3 vende së bashku prodhojnë çdo vit më shumë se gjysmën e verës në mbarë botën.//Top Channel
Comments