Në veriperëndim të Shqipërisë mbizotëron një tjetër varietet, Kallmeti. Kallmeti është kultivuar kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Ngjyra e rrushit Kallmet është e kuqe dhe zonat më të njohura për kultivimin e tij janë krahinat e Lezhës, Zadrimës, Shkodrës, Bukëmirës dhe rreth liqenit të Shkodrës. Ky varietet u shpërnda nga romakët në vendet e Europës Qendrore. Verërat e këtij varieteti janë me ngjyrë rubini, kanë karakter dhe një shije që të mbetet lehtë në kujtesë.
Disa prej kantinave më të mëdha shqiptare, si kantina “Arbëri”, më e madhja për sa i përket prodhimit në vend, prodhon verë nga ky varietet. Prodhimi vjetor i kantinës “Arbëri” është mesatarisht 100 mijë shishe në vit dhe sipas Rigersit, enolog i kantinës, rreth 15% e tij eksportohet jashtë. Destinacionet kryesore ku shkon vera nga kantina “Arbëri” janë vendet e Europës Perëndimore, e deri në Nju Jork. Vlerësimi që marrin nga të huajt është shumë pozitiv.
Kultivimi i këtij varieteti rrushi dhe vera e prodhuar prej tij janë trashëguar falë famullive dhe familjeve verëprodhuese të zonës, të cilat, e kanë bërë të famshëm këtë varietet në të gjitha epokat historike.
Edhe në krahinën e Mirditës, banorët e së cilës i përkasin besimit katolik, vera (apo gjaku i Krishtit) është pije që nuk duhet të mungojë në raste festash dhe ditë të shënuara. Jurgen Pashuku, i kantinës “Zadrima”, tregon se vera “Kallmet” pëlqehej dhe nga vetë Papa. Zona që përfshin fshatrat tona e quajtur ndryshe dhe rajoni i Fushës së Zadrimës, është i njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimit të verës.
“Mbreti i zonës sonë është kultivari Kallmet, i njohur që në lashtësi me romakët e lashtë që më pas e kultivuan dhe në Hungari, Serbi dhe Bullgari që njihet me emrin ‘Kadarka’, ‘Skadarka’ (që vjen nga emri i qytetit Shkodër). Po ashtu, në Mesjetë dhe në periudhën e pushtimit osman, ky rajon kur ishte jo nën sundimin e plotë osman, ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore ‘Kallmet’, ku Frang Bardhi e përmend në relacionet e tij që të dhjetat që i dërgoheshin Vatikanit, i dërgoheshin me verë ‘Kallmet’ dhe ne me krenari e themi që vera ‘Kallmet’ është pirë dhe pëlqehej edhe nga vetë Papa”, – ka thënë Pashuku për “Monitor”.
Rajoni kodrinor i Zadrimës është nga rajonet më të përshtatshme për prodhimin e rrushit, dhe Kallmeti bëhet vetëm te ne, – shton ai. Në vitet e komunizmit, ky kultivar (Kallmeti) ishte i vetmi i certifikuar në Francë dhe vazhdon të ngelet kultivari i vetëm i certifikuar në Shqipëri. Përpos llojeve Shesh dhe Kallmet, një tjetër varietet i famshëm i rrushit shqiptar është Pulsi Beratit. Pulsi është rrush i bardhë, më i rëndësishmi i krahinës së Përmetit, Beratit, Skraparit, Mallakastrës. Është rrush me pjekje të vonë. Verërat kanë përmbajtje të lartë alkooli dhe aciditet mesatar.
Comments