top of page
Writer's pictureEnolog

Arti shqiptar i prodhimit të verës

Prodhimi i verës është si art, ashtu edhe shkencë, një përzierje e krijimtarisë individuale dhe teknologjisë inovative. Por prodhimi i verës është gjithashtu biznes, me faktorë ekonomikë që ngasin praktikat prodhuese. Për të qenë i suksesshëm në tregun modern, një prodhues vere duhet të integrojë aspektet artistike dhe ekonomike të prodhimit të verës dhe të ketë njohuri të mira të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që motivojnë blerjen.

Industria agropërpunese e verës ka shënuar rritje në vitet e fundit. Aktualisht, prodhuesit shqiptarë operojnë në një treg të vështirë, të deformuar nga konkurrenca e pandershme dhe të gjunjëzuar prej verërave të importit.

Nga një vend prodhues, por edhe importues i verërave, sot më shumë se 2000 vjet më pas, tregu shqiptar i verërave është “pushtuar” nga vera e importit. Prodhuesit pohojnë se gati 75% e tregut mbulohet nga vera që vjen nga jashtë, kryesisht nga Italia dhe Franca. Në vetëm pesë vitet e fundit, importet nga jashtë të verës janë rritur me mbi 50%. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, importet e verës në 2016 kapën vlerën e 42 mijë e 140 hektolitrave.

Ndërsa eksportet e verës shqiptare jashtë mbeten ende një sasi tepër modeste. Në 2016-n, sasia e eksportuar nga vendi ynë jashtë ishte vetëm 150 hektolitra, apo rreth 100 mijë shishe. Edhe pse prodhuesit vendas kanë bërë hapa të mëdha për sa i përket përmirësimit të teknologjisë dhe metodologjisë së prodhimit të verës, sërish nuk po arrijnë dot që të mbulojnë së paku gjysmën e tregut e vendas.

Nga të dhënat e mbledhura indirekt dhe të përpunuara nga “Monitor”, në vend operojnë rreth 250 kantina. Pjesa më e madhe e tyre janë kantina të vogla dhe kanë një prodhim modest. Ndërsa sipas vetë aktorëve kryesorë të tregut, janë vetëm 20 kantina që mbajnë peshën kryesore të prodhimit për nga cilësia dhe sasia.

Megjithatë, segmenti i tregut të verërave po njeh zgjerim. Këtë e tregon si rritja e prodhimit, që pohohet nga të gjithë aktorët kryesorë të tregut, edhe rritja e importeve të verës. Në 2011, importet e verës ishin 27 mijë hektolitra, më pak se gjysma e sasisë që importohet në ditët e sotme.

Është zgjuar interesi tek biznesmenët, por edhe tek individët e thjeshtë për të rritur sipërfaqet e mbjella me vreshta, e për rrjedhojë është, edhe sasia e rrushit të prodhuar. Megjithatë, prodhuesit thonë se në këtë luftë për mbijetesë në tregun vendas, ata janë vetëm. Fermerët shqiptarë nuk subvencionohen, për këtë shkak çmimi i lëndës së parë është i lartë krahasuar me fqinjët. Prodhuesit vendas thonë se mund të blejnë rrush në vendin fqinj, Maqedoni, 20 cent për kg, ndërkohë që në vend e marrin për 35 cent për kg.

Shumë prej prodhuesve kryesorë po përpiqen që të bëjnë integrimin vertikal të kantinave të tyre. Prodhues si Arbëri, Nurellari, Çobo, Shehi dhe Kokomani, kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me vreshta. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, në 2016-n, në Shqipëri, sipërfaqet e mbjella me vreshta përllogariteshin rreth 10 mijë e 533 hektarë, rreth 93 hektarë më shumë se një vit më parë. Gjatë 2016-s u prodhuan rreth 205 mijë e 300 tonë rrush, i cili pjesa më e madhe është për konsum tavoline.



Pjesa e mbetur shkon për prodhimin e pijeve nga fermentimi i tij. Nga të dhënat e mbledhura nga prodhuesit vendas dhe përllogaritjet e kryera nga “Monitor” në mënyrë të tërthortë, kantinat shqiptare kanë një kapacitet prodhues prej 1 milionë e 500 mijë shishe, e përkthyer në hektolitra do të ishin rreth 11 e 250 hektolitra (1 shishe verë standarde përmban 0.75 litra verë).

Pra, vetëm 25% e tregut të verërave në total. Sipas përllogaritjeve nga “Monitor”, konsumi për frymë i verës në Shqipëri nuk i kalon 2.26 litra në vit. Në harkun kohor të një viti, një shqiptar pi afërsisht 3 shishe e gjysmë


Tregu mbizotërohet nga Italia, Franca dhe Spanja

Italia, Franca dhe Spanja mbizotërojnë tregun e verave të gazuara. Vendi ynë fqinj, Italia mban vendin e parë ku në 2016-n rreth 335 milionë litra verë e gazuar u eksportuan në 2016-n, apo 45 për qind e totalit të vendeve anëtare, Franca renditet e dyta me 172 milionë litra apo 23 për qind dhe Spanja e treta me 168 milionë letra (23 për qind). Më pas ndiqeshin nga Gjermania me 32 milionë litra apo 4 për qind dhe Letonia me 8 milionë litra apo 1 për qind.

Vera e gazuar europiane kryesisht shkon në ShBA

Ndërsa për sa i përket eksporteve në vendet jo-europiane, vera e gazuar shkon kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (114 milionë litra, apo 41 për qind e totalit të eksporteve jashtë BE-së e verës së gazuar), ndjekur nga Japonia (26 milionë, mbi 9 për qind), Rusia (25 milionë) dhe Zvicra (20 milionë litra), Kanadaja (12 milionë litra) dhe Australia (11 milionë litra).

Varietetet autoktone shqiptare

Për varietetet autoktone të ilirëve, trojet ku sot jetojmë ne shqiptarët, do të shkruanin poetët e kohës. Këtë e dëshmojnë më së miri, jo vetëm mbishkrimet e poetëve nga antikiteti, por edhe toponimet e vendeve. Fshatrat Kallmet, Shesh, Komuna e Hardhishtës, fshati Cerujë në Burrel janë dëshmi se vitikultura ka qenë traditë nga antikiteti, në mesjetën e vonë dhe gjatë Perandorisë Osmane, ku sulltani vendosi taksë për pijen e verës në Shqipëri.

Vreshtaria është kryesisht e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, për shkak edhe të klimës, ku secila zonë është e njohur për varietetin e saj. Llojshmëria e varieteteve shqiptare, por edhe cilësia e tyre, janë një ndër pikat e forta të industrisë agropërpunuese të verërave, për të qenë konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe më tej.



Sheshi i Zi, emri i fshatit të origjinës

Sheshi që e njohin të gjithë

Vetëm 15 kilometra larg Tiranës gjendet fshati kodrinor i Sheshit. Prej kodrave të Sheshit mund të dallohen në horizont bregdeti i Adriatikut. Klima është tipike mesdhetare.

Ka shumë ditë me diell. Era është e butë, ndërsa toka shumë e pasur me minerale. Kjo zonë njihet si pikë origjine për varietetin më të famshëm të rrushit shqiptar, Sheshin.

Varieteti i rrushit Shesh, që është emërtuar kështu prej zonës (ose zona prej rrushit – mbetet ende një enigmë), është në dy lloje: i zi dhe i bardhë. Prej zonës, varieteti do të përhapej në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në zonën e Shqipërisë së Mesme, kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Sipas përllogaritjeve mendohet që ky varietet mbulon rreth 35% të vreshtave në Shqipëri. Varieteti i Sheshit, sipas ekspertëve, shërben si bazë, për ndërthurjen me lloje të tjera europiane të rrushit, si Merlot apo Kabernet.




Kallmet, mbreti i Veriut

Në veriperëndim të Shqipërisë mbizotëron një tjetër varietet, Kallmeti. Kallmeti është kultivuar kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Ngjyra e rrushit Kallmet është e kuqe dhe zonat më të njohura për kultivimin e tij janë krahinat e Lezhës, Zadrimës, Shkodrës, Bukëmirës dhe rreth liqenit të Shkodrës. Ky varietet u shpërnda nga romakët në vendet e Europës Qendrore. Verërat e këtij varieteti janë me ngjyrë rubini, kanë karakter dhe një shije që të mbetet lehtë në kujtesë.

Disa prej kantinave më të mëdha shqiptare, si kantina “Arbëri”, më e madhja për sa i përket prodhimit në vend, prodhon verë nga ky varietet. Prodhimi vjetor i kantinës “Arbëri” është mesatarisht 100 mijë shishe në vit dhe sipas Rigersit, enolog i kantinës, rreth 15% e tij eksportohet jashtë. Destinacionet kryesore ku shkon vera nga kantina “Arbëri” janë vendet e Europës Perëndimore, e deri në Nju Jork. Vlerësimi që marrin nga të huajt është shumë pozitiv.

Kultivimi i këtij varieteti rrushi dhe vera e prodhuar prej tij janë trashëguar falë famullive dhe familjeve verëprodhuese të zonës, të cilat, e kanë bërë të famshëm këtë varietet në të gjitha epokat historike.

Edhe në krahinën e Mirditës, banorët e së cilës i përkasin besimit katolik, vera (apo gjaku i Krishtit) është pije që nuk duhet të mungojë në raste festash dhe ditë të shënuara. Jurgen Pashuku, i kantinës “Zadrima”, tregon se vera “Kallmet” pëlqehej dhe nga vetë Papa. Zona që përfshin fshatrat tona e quajtur ndryshe dhe rajoni i Fushës së Zadrimës, është i njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimit të verës.

“Mbreti i zonës sonë është kultivari Kallmet, i njohur që në lashtësi me romakët e lashtë që më pas e kultivuan dhe në Hungari, Serbi dhe Bullgari që njihet me emrin ‘Kadarka’, ‘Skadarka’ (që vjen nga emri i qytetit Shkodër). Po ashtu, në Mesjetë dhe në periudhën e pushtimit osman, ky rajon kur ishte jo nën sundimin e plotë osman, ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore ‘Kallmet’, ku Frang Bardhi e përmend në relacionet e tij që të dhjetat që i dërgoheshin Vatikanit, i dërgoheshin me verë ‘Kallmet’ dhe ne me krenari e themi që vera ‘Kallmet’ është pirë dhe pëlqehej edhe nga vetë Papa”, – ka thënë Pashuku për “Monitor”.

Rajoni kodrinor i Zadrimës është nga rajonet më të përshtatshme për prodhimin e rrushit, dhe Kallmeti bëhet vetëm te ne, – shton ai. Në vitet e komunizmit, ky kultivar (Kallmeti) ishte i vetmi i certifikuar në Francë dhe vazhdon të ngelet kultivari i vetëm i certifikuar në Shqipëri. Përpos llojeve Shesh dhe Kallmet, një tjetër varietet i famshëm i rrushit shqiptar është Pulsi Beratit. Pulsi është rrush i bardhë, më i rëndësishmi i krahinës së Përmetit, Beratit, Skraparit, Mallakastrës. Është rrush me pjekje të vonë. Verërat kanë përmbajtje të lartë alkooli dhe aciditet mesatar.



Pulsi Beratit

Qarku i Beratit është një nga zonat më të njohura për prodhimin e verës në Shqipëri. Në këtë zonë janë themeluar disa prej kantinave kryesore në vend, si kantina “Çobo”, “Nurellari”, “Luani”. Kantinat janë bazuar përgjithësisht në prodhimin e verës prej kultivarëve autoktonë, ku më i rëndësishmi i zonës është Pulsi.

Vera e bardhë e prodhuar prej Pulsit ka aromë të fortë lulesh. Sipas zotit Petrit Çobo, i kantinës “Çobo”, rrushi thith çdo gjë që ka pranë. Aromat e verërave të prodhuara nga ky varietet vijnë prej luleve që rriten rrëzë malit Tomorr. Mbizotërojnë aromat e freskëta.

“Ka një aromë shumë të veçantë, aromë lulesh. Nuk mund të thuash se një varietet është më mirë apo më i keq se një tjetër varietet. Por ka varietete që janë të veçanta. Aromat karakteristike që vijnë nga lulet që rriten rrëzë Tomorrit dhe kanë një shije të fundme shumë të gjatë. Dallon nga të gjitha të tjerat. Pulsi është përfshirë në Atlasin Ndërkombëtar të Verërave”, – tha zoti Çobo kur u pyet për karakteristikat e varietetit të Pulsit.


I ëmbli Vlosh

Në jugperëndim të Shqipërisë, varieteti mbizotërues është Vloshi. Sipas ekspertëve, varieteti i Vloshit ka përmbajtje të lartë të sheqerit dhe piqet në fund të shtatorit. Kantina “Balaj”, në Qarkun e Vlorës, e ka bazën e prodhimit të saj nga ky varietet.



Ceruja, rrushi “spartan”

Ndërsa në verilindje, varieteti Ceruja i Burrelit. Fshati Cerujë, i cili ka marrë emrin për shkak të rrushit, njihet si vend i pasur me mineralin e kromit. Duke qenë se rrushi i varietetit Cerujë rritet në një tokë të pasur, vera e prodhuar nga rrushi Cerujë është e pasur me minerale, të cilat ndihen gjatë degustimit të verës së prodhuar nga kantina “Uka”.

Flori Uka, enolog i kantinës, prodhon vetëm dy etiketa, verën e bardhë Ceruja dhe verë të kuqe me varietetin Kallmet. Sipas Florit, është e rëndësishme që të prodhohet verë prej varieteteve autoktone shqiptare.

Pse janë të rëndësishme varietetet autoktone? Në një treg ku është i mbushur me varietete ndërkombëtare. Kantinat shqiptare janë të vetëdijshme se mund të konkurrojnë me cilësi dhe jo me sasi dhe të vijnë të veçanta me anë të varieteteve autoktone. Në botë ekzistojnë më shumë se 10 mijë lloje të ndryshme të varietetesh. Disa janë hibridë të llojeve më të hershme. Varietete të ndryshme janë popullorë në vende të ndryshme.//Monitor//

41 views0 comments

Comments


bottom of page